Udhëzime për prindërit dhe fëmijët për përdorimin e sigurtë të Internetit
Fëmijët tanë që përfaqësojnë të ardhmen dhe shpresën tonë janë njëkohësisht dhe ajo pjesë e shoqërisë sonë që ka më shumë nevojë për mbrojtje dhe përkujdesje, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me të.
Zhvillimet kompjuterike dhe të teknologjisë së informacionit që u japin mundësi fëmijëve të zgjerojnë njohuritë e tyre përmes burimeve dhe eksperiencave të reja kulturore përbëjnë gjithashtu një risk për shfrytëzimin dhe dëmtimin e tyre përmes rrjeteve kompjuterike.
Duke marrë parasysh të gjithë mbrojtjen ligjore që gëzojnë fëmijët në Shqipëri, si dhe praktikën më të mirë europiane, operatorët shqiptarë kanë nënshkruar Kodin e Sjelljes për Përdorimin e Sigurt dhe të Përgjegjegjshëm të Rrjeteve dhe Shërbimeve të Komunikimeve Elektronike në Shqipëri.
Ne shpresojmë që këto udhëzime t`ju ndihmojnë ju si prindër, kujdestarë ligjorë apo fëmijë të kuptoni vështirësitë që lindin nga përdorimi i internetit, si dhe respektimin e përgjegjësive, të drejtave dhe detyrave që kanë prindërit apo përfaqësuesit ligjorë për fëmijën.
Në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, prindërit/përfaqësuesit ligjorë kanë përgjegjësi parësore për krijimin e kushteve të jetesës që garantojnë mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
Fëmijët tuaj dëshirojnë të krijojnë apo zhvillojnë miqësira, të kalojnë kohën dhe ndonjëherë të kërkojnë informacione me një përmbajtje të caktuar në internet, ndonjëherë edhe duke biseduar/dialoguar/kontaktuar përmes chat-it.
Për këtë, PLUS dëshiron t’ju paraqesë sugjerimet apo udhëzimet e mëposhtme të cilat do t’ju ndihmojnë në jetën tuaj të përditshme.
- Edhe pse këto njohuri apo eksperienca mund të jenë të vlefshme, prindërit duhet të marrin në konsideratë monitorimin e vazhdueshëm të kohës së shpenzuar në internet/ on-line prej fëmijëve tuaj.
- Fëmijët në internet /on-line janë në risk më të madh gjatë orëve të mbrëmjes, duke qenë se persona me qëllime të ndryshme veprojnë më shpesh gjatë këtyre orëve.
- Për këtë arsye, është e rëndësishme të flisni me fëmijët tuaj, duke i pyetur për faqet e internetit që përdorin dhe veçanërisht miqtë e tyre ekzistues apo të rinj.
- Gjithashtu, me qëllim që fëmijët tuaj të shmangin rreziqet që lindin, qëndrojuni pranë duke i informuar dhe këshilluar që të mos bëjnë apo pranojnë ftesa nga persona të panjohur, të mos postojnë apo hedhin informacion personal si emër, adresë, foto apo çdo gjë që mund të jetë drejtëpërdrejtë ose jo e lidhur me ta, si dhe të mos komunikojnë me persona të panjohur duke u dhënë emrin e tyre të vërtetë, adresën e shtëpisë dhe të shkollës apo numrin e telefonit.
- Edukojini fëmijët të kuptojnë dhe vlerësojnë me një sy kritik informacionin i cili shfaqet në internet, me qëllim verifikimin e saktësisë apo vërtetësisë së informacionit të shfaqur.
- Bisedoni me miqtë ose familjarët tuaj për mënyrën sesi ata kuptojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre të sillen në internet.
- Favorizoni dhe inkurajoni vendosjen e motorrëve të kërkimit të cilët mbrojnë fëmijët, në rast se ka të tillë.
- Caktoni disa rregulla të dobishme për t’u respektuar nga fëmijët tuaj, një pjesë të të cilave ju sugjerohen si më poshtë:
- Për aktivitete që ju mendoni se cënojnë të drejtat e fëmijëve tuaj, drejtohuni tek autoritetet shqiptare përgjegjëse si p.sh Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijës ose njësi të tjera shtetërore, si dhe telefononi në Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116.
-
- Vendosni që në fillim disa rregulla përdorimi të kompjuterit, telefonit celular dhe internetit dhe siguroni respektimin e tyre prej fëmijëve tuaj.
- - Shoqëroni gjithmonë fëmijët në përdorimin e kompjuterit dhe hyrjet e tyre të para në internet përmes kompjuterit dhe telefonit celular, si dhe komunikoni vazhdimisht me ta në mënyrë që të informoheni për çdo shqetësim në lidhje me sa më sipër.
- - Kontrolloni, në mënyrë të përditshme, historikun e faqeve të internetit të vizituara prej fëmijëve tuaj.
- - Klasifikoni fëmijët tuaj si “Përdorues të veçantë” në kompjuter, duke vendosur kufizime në përdorimin e internetit.
- - Vendosni kompjuterin në një ambjent të përbashkët të apartamentit apo shtëpisë, duke evituar vendosjen e tij në dhomën e fëmijës.
- - Informoni fëmijët tuaj në mënyrë të përditshme për rreziqet e internetit, duke biseduar me ta dhe për tema si cyberbullying ose përdorimi i internetit dhe teknologjive të lidhura me të për të dëmtuar persona të tjerë apo pronësinë e tyre intelektuale, në mënyrë të qëllimshme, të përsëritur dhe armiqësore, si dhe dërgimi i materialeve me përmbajtje seksuale me anë të internetit apo celularit apo child grooming ose veprimet e ndërmarra qëllimisht për të arritur miqësimin dhe vendosjen e një marrëdhënie emocionale me një fëmijë me qëllim shfrytëzimin e tij.
- - Përsëritini vazhdimisht fëmijëve tuaj të mos japin asnjë informacion apo të dhënë personale në internet (përfshirë fjalëkalimin) dhe shpjegohuni pse nuk duhet të dialogojnë me persona të panjohur apo të postojnë, dërgojnë fotografi apo dokumente personale.
- - Edukojini fëmijët tuaj që të respektojnë treguesit e moshës në lojrat kompjuterike apo shërbimet me vlerë të shtuar.
- - Rregulloni dhe forconi parametrat e konfidencialitetit sa herë që kjo mundësohet në internet.
- - Mësojini të mos t’i përgjigjen kurrë një e-maili apo mesazhi kërcënues, por të flasin menjëherë me ju për të ndërmarrë veprimet e duhura.